Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, të cilin e falënderoi për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij gjatë mandatit në Kosovë.
Me këtë rast, kryeministri Hoti ka vlerësuar rolin e veçantë të Gjermanisë në procesin e shtetndërtimit demokratik të Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Kryeministri Hoti tha se qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë mirënjohës për ndihmën e përhershme që Gjermania i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat. Po ashtu, ai theksoi se është i domosdoshëm thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat e interesit reciprok”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Tutje në njoftim thuhet se kryeministri Hoti e ka vlerësuar punën e ambasadorit Heldt në Kosovë, duke i uruar atij sukses në detyrat e tij të ardhshme.
Ndërsa, ambasadori Heldt, pasi e falënderoi kryeministrin Hoti për pritjen dhe bashkëpunimin, vlerësoi se marrëdhëniet e mira ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës do të thellohen edhe më tej në të mirë të dy popujve dhe vendeve tona mike. /Telegrafi/