Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagrı Sakar.
“Në takim, Hoti me ambasadorin Sakar biseduan rreth situatës së fundit të krijuar nga pandemia COVID-19, në të njëjtën kohë ka falënderuar Republikën e Turqisë për ndihmat që i ka dhuruar vendit tonë për përballimin e luftës kundër kësaj pandemie.
Duke folur rreth aktualitetit politik dhe zhvillimeve në vendin tonë, Kryeministri Hoti tha se Qeveria është duke punuar me përkushtim në rimëkëmbjen ekonomike, zbatimin e programit qeverisës dhe prioritetet tjera”, thuhet në njoftimin për media.
Kryeministri Hoti, po ashtu falënderoi ambasadorin Sakar për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Kosovës dhe popullit të saj në të gjitha periudhat e shtetndërtimit, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen në fushat e interesit reciprok. /Telegrafi/