Site icon Telegrafi

Hoti priti në takim ambasadorin e Çekisë, flasin për prioritetet e Qeverisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur në një takim ambasadorin e Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

Kryeministri Hoti e ka falënderuar ambasadorin Bilek për mbështetjen e Çekisë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të saj, në të njëjtën kohë ka shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejmë ndërmjet dy vendeve dhe avancimin e partneritetit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Njëkohësisht, kryeministri Hoti e ka njoftuar ambasadorin Bilek me prioritetet e Qeverisë së tij, duke vënë theksin tek masat që po ndërmerren me qëllim menaxhimin sa më të mirë të pandemisë COVID-19, si dhe fokusin në rimëkëmbjen ekonomike, transmeton Telegrafi.

Nga ana e tij, ambasadori Bilek e ka falënderuar kryeministrin Hoti për pritjen dhe bashkëbisedimin për çështje të rëndësishme, duke i uruar suksese në punët dhe sfidat që e presin Qeverinë, ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë e tij në intensifikimin e raporteve të mira në mes të dyja vendeve. /Telegrafi/

Exit mobile version