Telegrafi

Hoti pret në takim ambasadoren e Finlandës, diskutojnë mbi gjendjen aktuale të pandemisë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim ambasadoren e Finlandës, Pia Stjernvall.

Sipas njoftimit për medie, gjatë takimit u diskutua mbi gjendjen aktuale në menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë me COVID-19 si dhe masat që po i ndërmerr qeveria me qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë në vend, dialogun Kosovë-Serbi, që nënkupton njohjen reciproke mes dy vendeve, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe procese të tjera të rëndësishme për shtetin e Kosovës.

Ndër tjera, kryeministri Hoti tha se Finlanda në vazhdimësi e ka ndihmuar Kosovën në programe të caktuara që kanë pasur rëndësi të veçantë për jetën e qytetarëve dhe për këtë u jemi shumë mirënjohës, duke shtuar se marrëdhëniet e Kosovës me Finlandën kanë qenë gjithmonë miqësore.

Ambasadorja Stjernvall shprehu gatishmërinë e Finlandës për t’i ofruar ndihmë shtetit të Kosovës në ngritjen dhe përgatitjen e kapaciteteve për arritjen e objektivave të saj. /Telegrafi/