Site icon Telegrafi

Hoti: Presidenti t’i emëroj anëtarët e KQZ-së, në të kundërtën do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në seancën e jashtëzakonshme për bllokimin e KQZ-së, ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi, me mosveprimin e tij, po e bllokon funksionimin e KQZ-së.

“Procedura që duhet të ndiqet për emërimin e anëtarëve të KQZ-së është e qartë. 6 anëtarë emërohen nga grupet parlamentare që përfaqësojnë shumicën. Bazuar në zgjedhjet e qershorit 2017 grupi parlamentar që përfaqësojnë komitetin shumicë janë PAN, LDK dhe LVV. Gjithçka është e qartë përveç Presidentit. Mosfunksionimi i KQZ-së ka pamundësuar shumë aktivitete. Zyrtarët e partive politike dhe grupeve parlamentare ka tre muaj që nuk marrin paga për shkak se KQZ nuk është funksionale”, ka thënë ai shkruan Telegrafi.

Hoti ka thënë se përkrahin draft rezolutën për zhbllokimin e KQZ-së.

“Me mos emërimin e anëtarëve të KQZ Presidenti ka shkelur të drejtat e qytetarëve që janë të përfaqësuar me institucione lokale. Kemi nevojë për një Gjykatë Kushtetuese që ka rol aktiv si një gardiane e Kushtetutës. E mbështesim draft rezolutën e hartuar për zhbllokimin e KQZ-së. Kërkojmë nga Presidenti të emëroj pa asnjë vonesë anëtarët. Çdo veprim tjetër është antikushtetues dhe na detyron ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai./Telegrafi/

Exit mobile version