Telegrafi

Hoti pranon telegram urimi nga PPE-ja, shkruajnë edhe për dialogun me Serbinë  

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pranuar një telegram urimi nga Manfred Weber, kryetar i Grupit PPE në Parlamentin Evropian dhe Andrey Kovatchev, zëvendëskryetar i Grupit PPE në Parlamentin Evropian përgjegjës për Zgjerimin, Ballkanin Perëndimor, Fqinjësinë Jugore, për marrjen e detyrës së re në krye të ekzekutivit.

Në letër thuhet se qeverisë së do t’i duhet të përballet me pasojat jo të lehta të pandemisë së coronavirusit, duke shfrytëzuar njëkohësisht një momentum të ripërtërirë për zbatimin e reformave kyçe në interes të qytetarëve të Kosovës dhe gjetjen e një zgjidhje të përhershme dhe reciprokisht të pranueshme me Serbinë.

“Duam t’ju shprehim urimet tona të përzemërta për zgjedhjen tuaj Kryeministër i ri i Republikës së Kosovës! Jemi të bindur që ky sukses do të avancojë më tej arritjet politike të partisë partnere dhe miqve tanë të afërt nga Lidhja Demokratike e Kosovës…. Mezi presim të punojmë me ju dhe institucionet e Kosovës në rrugën tuaj drejt integrimit evropian”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/