Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Besim Hoti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është duke u punuar për zbardhjen e rastit të vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare “Sloboda, Demokratija, Pravda’ (SDP), Oliver Ivanoviq.
Sipas tij, hetuesit po i kryejnë të gjitha detyrat e tyre në lidhje me këtë rast.
“Është duke u bërë ajo punë që po bëhet në vazhdimësi. Detyrat që i kanë në autorizim hetuesit po i kryejnë. Nuk ka diçka risi që do të kishim për opinionin publik”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq, nënkryetarja e Iniciativës Qytetare “Sloboda, Demokratija, Pravda’ (SDP), Ksenija Bozhoviq, ka deklaruar për Telegrafin se është skeptike që do të gjendet autori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Ajo tha se edhe pas tre javësh të hetimeve të zhvilluara nga organet përgjegjëse, akoma nuk ka as edhe një informatë të vetme që ndërlidhet me kryesit e këtij akti kriminal.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018 në një atentat të organizuar para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës./Telegrafi/