Telegrafi

Hoti: Pjesëmarrja e Teuta Rugovës në seancë është në kundërshtim me qëndrimin e LDK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar ndaj pjesëmarrjes së deputetes, Teuta Rugova, në seancën e sotme.

Hoti në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se pjesëmarrja e deputetes, Teuta Rugova është në kundërshtim me qëndrimin e LDK-së.

Ai po ashtu theksoi se secili deputet i LDK-së, ka për obligim të respektoj qëndrimet e LDK-së.

“Pjesëmarrja e deputetes Teuta Rugova në seancën e sotme është në kundërshtim me qëndrimin e LDK-së, i cili qëndrim është bërë publik para fillimit të seancës. Secili deputet i LDK-së duhet të kontribuojë në debatin ku përcaktohen qëndrimet e Grupit Parlamentar të LDK-së, dhe ka obligim t’i respektojë ato qëndrime”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndryshe, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, sot në Kuvend është duke u mbajtur seanca e jashtëzakonshme ku do të bëhet shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. /Telegrafi/