Telegrafi

Hoti: Pezulluam aplikimin për anëtarësim në organizata për ta fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar, jo për të dështuar si në të kaluarën   

Foto: Arkiv

Kryeministri Avdullah Hoti në interpelancën e Kuvendit të Kosovës në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare tha se pavarësia e Kosovës dhe të gjitha proceset përcjellëse, si njohjet e anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare janë rezultat i koordinimit të ngushtë dhe sistematik me partnerët ndërkombëtare, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se vetëm kështu ka qenë i mundur të fuqizohet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe çdo aplikim në organizatat ndërkombëtare të jetë i suksesshëm, raporton Telegrafi.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjenden në krye të listës së partnerëve që vazhdimisht kanë përkrahur anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar dhe moratoriumin duhet kuptuar në këtë frymë, pra të koordinimit të nevojshëm me SHBA-të dhe partnerët tjerë për aplikim në organizata ndërkombëtare”, tha ai.

Sipas tij, këtë duhet parë edhe nga këndvështrimi të një afatizimi të arritjes së marrëveshjes me Serbinë, të një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të raporteve.

“Pavarësisht këtij dakordimi për të pauzu për një vit aplikimin në organizata ne nuk po e pauzojmë punën tonë për përgatitjet për anëtarësim që duhet të bëjmë në organizatat ndërkombëtare, por përkundrazi po vazhdojmë koordinimin e plotë me të gjithë partnerët dhe partnerin kryesor SHBA-të që të sigurohemi se aplikime tona nuk do të dështojnë, siç kanë bërë në të kaluarën por fuqizojnë subjektivitetin tonë ndërkombëtar”, tha ai. /Telegrafi/