Telegrafi

Hoti përkujton policin Enver Zymberi në 9 vjetorin e rënies

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka përkujtuar policin e Kosovës, Enver Zymberi i cili ra në krye të detyrës 9 vite më parë gjatë aksionit që Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU) kishte ndërmarrë për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak.

Hoti tha se Zymberi është shembull i sakrificës e besnikërisë ndaj atdheut.

“Ai ra në kryerje të detyrës, si shembull i sakrificës e besnikërisë ndaj atdheut. Ai ra heroikisht që në Kosovë të sundon rendi dhe ligji. Në këtë përvjetor të rënies së tij, ndjejmë obligim, por edhe motiv të përbashkët për funksionalizim të plotë të rendit kushtetues, për një të ardhme ku sundon rendi dhe ligji”, shkruan Hoti.

Ndryshe, në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, ROSU, ishte nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato.

Por ROSU hasi në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymberi.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Edhe, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar aksionin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit 9 vjet më parë, ku ra heroikisht, Enver Zymberi.

Lexo po ashtu Thaçi kujton aksionin në veri: 25 korriku është dita e bashkimit të Kosovës

Sipas tij, heroi i Kosovës, Enver Zymeri, personifikon sakrificën dhe përpjekjet për ruajtjen e integritetit territorial të shtetit. /Telegrafi/