Site icon Telegrafi

Hoti përjashton mundësinë e koalicionit qeverisës me PDK-në (Video)

Kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti ka thënë se subjekti që ai përfaqëson nuk do të bëjë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Hoti ka thënë se dalja e mundshme në opozitë e PDK-së, “do ta çlironte shtetin nga ngulfatja.”

“Unë besoj që do të arrijmë të kemi një fitore të thellë dhe shpejt të themelojmë parlamentin, qeverinë dhe institucionet tjera. Ajo që është e rëndësishme është që Partia Demokratike e Kosovës të dalë në opozitë për një kohë të gjatë për t’i liruar institucionet e vendit nga një ngulftaje që ka ndodhë tash e sa vite. Kjo është, mendoj, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Zoti Hoti, vetëm edhe pak ditë kanë mbetur deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Çfarë prisni nga këto zgjedhje?

Hoti: Ne po mundohemi të komunikojmë me qytetarët gjithandej nëpër Kosovë në kuadër të fushatës zyrtare që ne e organizojmë. Dhe me rrjetin e degëve që e kemi të shtrirë në tërë Kosovën, përmes platformave edhe rrjeteve sociale edhe debateve televizive, që ta bëjmë të qartë programin tonë, ofertën tonë. Ne i kemi dhënë, besoj, dimension tjetër kësaj fushate, duke e zhvendosë komplet diskursin politik gjatë fushatës kah programet, për t’iu treguar qytetarëve çfarë mund të presin nga ne në të ardhmen. Unë jam i kënaqur me zhvillimin, me dinamikën që ka marrë kjo fushatë. Është e veçantë krahasuar me fushatat e tjera, sepse diskursi publik tani është zhvendosur në masë të madhe, si insistim i joni, i LDK-së dhe këtij koalicioni, që ne të garojmë në bazë të platformave programore që kemi si parti politike.

Dhe çfarë ofroni ju konkretisht, përse duhet t’ju votojë pikërisht juve votuesi?

Hoti: Ne jemi shumë të fuqishëm në pjesën e programit për zhvillim ekonomik. Jemi provuar në dy vite e gjysmë të qeverisjes, me vendet e reja të punës që krijuam, me rritjen ekonomike që e kemi pasur dukshëm më të lartë sesa që e kemi trashëguar në fillim të mandatit, me një sektor privat shumë më dinamik. Tash programi jonë ka një agjendë shumë të fuqishme zhvillimore, të zhvillimit të sektorit privat, tërheqjes së investimeve të jashtme, të hapjes së mundësive për të rinj e të reja që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, krijimit të të ardhurave për jetë stabile të familjeve të reja. Kjo është pjesa më e rëndësishme e programit, duke mos lënë anash edhe pjesët tjera, siç janë cilësia në arsim dhe në shëndetësi, në veçanti. Dhe pastaj rendi e ligji dhe lufta e pa kompromis kundër korrupsionit. Në këtë pikë jemi shumë të vendosur që të çojmë një agjendë përpara për të siguruar që shoqëria e Kosovës nuk njihet në botë për afera korruptive, por si një shoqëri në tranzicion, që është e denjë për t’u integruar në familjen e madhe evropiane. Normalisht, ka edhe tema të rëndësishme me të cilat duhet të merremi në të ardhmen dhe në tanimë kemi një platformë të dakorduar brenda koalicionit se si t’i adresojmë ato.

E përmendët luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Si mendoni ta çoni përpara këtë luftë dhe pse nuk e keni bërë deri tash zoti Hoti, ju ishin në qeveri?

Hoti: Unë mendoj që kemi bërë mjaft. Po veç sa kemi filluar të punojmë në këtë drejtim. Kemi qenë të pa kompromis në luftën kundër korrupsionit. Asnjë zyrtar i qeverisë, në dy vite e gjysme të qeverisjes, nuk kemi pasur ndonjë aferë korruptive. Disa raste që kanë qenë nga qeveria e kaluar, kemi marrë masa. Kemi zhvilluar një platformë të prokurimit elektronik, sepse burimi kryesor i korrupsionit ka qenë tek prokurimi elektronik. Janë rreth 800 milionë euro që prokurohen çdo vit, para publike për projekte kapitale, për mallra të ndryshme. Kemi zbatuar tash, kemi vendosur platformën e prokurimit elektronik, ku çdo gjë është transparente. Pra, e kemi mbyllë një vrimë të madhe të korrupsionit në Kosovë. Kemi me qenë edhe në të ardhmen të pa kompromis në luftimin e korrupsionit në Kosovë. Ende i kemi disa plagë nga e kaluara, si afera të ndryshme që i kemi trashëguar, si rasti i pasaportave nga qeveria paraprake. Raste të tjera të cilat ne me kujdes i kemi shqyrtuar dhe do të kujdesemi në të ardhmen që të mbrojmë interesin e shtetit.

Zoti Hoti, qeveria juaj mbylli mandatin para kohe pa i përfunduar disa prej çështjeve më të nxehta siç është ta zëmë shënimi i kufirit me Malin e Zi. Si mendoni ta bëni këtë nëse bëheni kryeministër siç pretendoni?

Avdullah Hoti: Kjo është çështje shumë e ndjeshme për qytetarët e Kosovës. Ne e kemi një platformë, një qasje se si do të merremi me këtë problem. Është e rëndësishme të përmbyllet kjo temë për të konsoliduar shtetësinë e Kosovës, sepse ne duhet të hapim edhe tema tjera të rëndësishme që lidhen me konsolidimin përfundimtar të shtetësisë së Kosovës, siç është ta zëmë, demarkacioni edhe me Serbinë. Unë do të siguroj që të krijohet një platformë në mes të krejt spektrit politik për të arritur një dakordim se si të lëvizim përpara. Janë disa raporte, studime dhe qëndrime lidhur me këtë. Është raporti i komisionit shtetëror për demarkimin e kufirit. Mandej është një raport i këshilltarëve, ekspertëve ndërkombëtar, një komision që është themeluar më herët nga ish presidentja Jahjaga.

Është një raport tjetër i Akademisë së Shkencave të Kosovë lidhur me këtë çështje. Janë tri raporte që nuk janë kontradiktore mes vete. Atë që do të bëjmë është që me opozitën e ardhshme edhe me qytetarë që mund të afektohen nga ky vendim, t’i sjellim të gjithë në tavolinë, t’i hapim të gjitha letrat, të maksimizojmë transparencën dhe të dakordohemi se si të lëvizim përpara. Është interes shtetëror që kjo çështje të mbyllet. Është mirë që kemi relacione jashtëzakonisht të mira me Malin e Zi si shtet fqinjë dhe besoj që do të arrijmë që ta zgjidhim këtë çështje dhe të lëvizim përpara me liberalizim të vizave dhe me tema të tjera mandej që janë po ashtu të ndjeshme sikurse kjo.

Kur thoni platformë të re, e keni fjalën për dokumente të reja, komisione të reja?

Hoti: Një platformë, po mendojmë, ku involvohen të gjitha palët. Edhe partitë opozitare edhe shoqëria civile edhe ekspertët që donë me dhanë fjalën e tyre. Nuk është që gjatë këtij mandati nuk e kemi ofruar këtë platformë, por do i shohim gjërat nga fillimi edhe njëherë.

Bisedimet me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura në to ishin ndër çështjet që çuan vendin në krizë politike gjatë qeverisjes suaj. Si e shihni ju këtë proces pas zgjedhjeve?

Hoti: Do t’u japim momentum të ri bisedave me Serbinë. Bisedat duhet të ngrihen në nivel të kryeministrit. Kryeministri i vendit është ai që duhet t’i udhëheqë këto biseda, ti mbikëqyre nga afër, t’i koordinojë. Atë që do të bëjmë ne është që do i vendosim të gjitha çështjet që duhet t’i bisedojmë me Serbinë në tavolinë të bisedimeve menjëherë. Duhet të sigurohemi që marrëveshjet që janë arritur të implementohen, sepse ne kemi pasur probleme vazhdimisht me, fillimisht arritjen e marrëveshjeve dhe mandej negocimin për implementimin e atyre marrëveshjeve. Do të kërkojmë involvim shumë më të madh të Shteteve te Bashkuara në këto bisedime të cilat ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, por ne do të kërkojmë që edhe SHBA si partner strategjik i Kosovës, të jenë të involvuara drejt në këto bisedime. Ajo që është e rëndësishme është qe në do t’i nxjerrim në tavolinë të gjitha temat e rëndësishme që duhet të përmbyllen me Serbinë, përfshirë edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të vendosim afat kohor kur i përmbyllim këto bisedime. Nuk mund të vazhdojmë pa fund me këto bisedime, sepse nuk ka asnjë kuptim. Është interes shtetëror i Kosovës normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe lëvizja së bashku e rajoni në Bashkimin Evropian.

Një çështje që ka shqetësuar Kosovën për disa vjet me radhë është edhe ajo e përballjes me kërcënimet globale siç është lufta kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Si e shihni ju gjendjen aktuale dhe a keni shqetësim për kërcënimet që mund të ketë Kosova?

Hoti: Realisht në fillim të mandatit patëm trashëguar një gjendje jo të kënaqshme në këtë drejtim. Ka pasur qytetarë kosovar që kanë marrë pjesë në luftëra jashtë Kosovës, në Lindjen e Mesme. Ne patëm nxjerrë një ligj i cili u ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në luftëra jashtë. Nga nxjerrja e atij ligji dhe nga një involvim shumë më direkt dhe intensiv i institucioneve përkatëse, përmes bashkësive fetare, përmes shoqërisë civile, unë e them me kënaqësi se vitin e fundit nuk kemi pasur qytetarë nga Kosova që i janë bashkuar luftës atje. Ka pasur që janë kthyer nga lufta atje dhe organet përkatëse janë marrë individualisht me rastet e tilla. Ndjehem mirë që nuk ka më raste të kosovarëve që janë në mediet botërore për pjesëmarrjen në luftërat jashtë Kosovës, siç janë ato në Lindjen e Mesme. Do të jemi të kujdesshëm në këtë drejtim. Do të punojmë shumë më komunitetet fetare, që t’i involvojmë, sepse mënyra më e lehtë dhe më efikase për t’u siguruar që qytetarët kosovarë nuk bëhen pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të krimit, të luftërave të ndryshme, është duke pasur një qasje si preventivë, duke komunikuar me të rinjtë, duke u siguruar që ata janë të involvuar në arsim, në punësim dhe që të kemi kontakt të drejtpërdrejtë me ta. Por, normalisht si shtet do të japim kontributin tonë kurdo që na kërkohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë për të luftuar krimin gjithandej. Ne tentojmë të jemi partner i barabartë dhe të japim kontributin në këtë drejtim.

Zoti Hoti, është pak hipotetike por gati e zakonshme në rastet e tilla të fushatave zgjedhore. Çka pas 11 qershorit. Nëse ju dilni fitues në këto zgjedhje me kë mund të bashkëqeverisni?

Hoti:Unë besoj në bazë të optimizmit që shohim, në bazë të perceptimit të përditshëm nga puna në terren, ne kemi një pjesëmarrje të qytetarëve tanë në fushatën tonë si asnjëherë më parë. Ndoshta ka dhjetë vite që nuk kemi pasur kaq shumë njerëz të përfshirë në fushata, në tubime, që janë publike dhe plotë të tjera që nuk janë publike. Unë besoj që do të arrijmë të kemi një fitore të thellë dhe shpejt të themelojmë parlamentin, qeverinë dhe institucionet tjera. Ajo që është e rëndësishme është që Partia Demokratike e Kosovës të dalë në opozitë për një kohë të gjatë për t’i liruar institucionet e vendit nga një ngulftaje që ka ndodhë tash e sa vite. Kjo është, mendoj, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës.

A do të thotë kjo se në rast që detyroheni të shkoni në koalicion qeverisës PDK është e përjashtuar?

Hoti: Jemi të vendosur që PDK-në ta nxjerrim në opozitë për një kohë të gjatë. /VoA/

Exit mobile version