Site icon Telegrafi

Hoti i përgjigjet Thaçit: Përmes zgjedhjeve qytetarët do të vendosin se kush do ta udhëheq dialogun

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti i është përgjigjur ‘ftesës’ së presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili sot gjatë një konference për media ka thënë se është i gatshëm t’ia lë Hotit udhëheqjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Hoti përmes postimit që ka bërë në rrjetin social Facebook ka thënë se qytetarët e Kosovës përmes zgjedhjeve të lira do të vendosin se kush do ta udhëheqë dialogun Kosovë-Serbi.

Lexo po ashtu Thaçi: Jam i gatshëm ta ftoj Avdullah Hotin t'i udhëheqë bisedimet me Serbinë

Ai po ashtu tha se presidenti Thaçi, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk ka mandat të udhëheq këtë dialog.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Avdullah Hotit:

“Qytetarët e Kosovës, përmes zgjedhjeve të lira, do të vendosin se kush do ta udhëheq dialogun me Serbinë. Një gjë është e qartë që tani se ai person nuk do të jetë z.Thaçi, pasi ai në bazë të Kushtetutës së Kosovës nuk ka mandat të vendos për këto çështje. E ftoj z.Thaçi të qëndrojë brenda kompetencave që ja jep Kushtetuta e Kosovës. Deklarimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vend që të jetë garant i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, ai është duke e cenuar çdo ditë atë dhe për këtë duhet të flasë Gjykata Kushtetuese. Dëmet që z.Thaçi me deklarimet e tij antikushtetuese është duke ia bërë shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare janë të mëdha. Ai e ka nxjerrë jashtë funksionit krejt diplomacinë e Kosovës, si dhe diplomacinë e vendeve mike, duke stopuar plotësisht njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Qytetarët e Kosovës e kanë vendosur fatin e Kosovës si shtet i pavarur, i integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Këtë nuk mund ta zhbëjë askush”, ka shkruar Hoti në Facebook. /Telegrafi/

 

Exit mobile version