Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se procesi i njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është një proces i vështirë, mirëpo ai shtoi se ka besim në komisionin që është themeluar për këtë çështje.
Në konferencën për statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Hoti ka thënë se shuma e cila është ndarë për këto viktima nuk është e mjaftueshme duke marrë parasysh vuajtjet e tyre.
“Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës, ka bërë në punë të madhe që nga fillimi i themelimit. Jemi të vetëdijshëm që shuma që është ndarë nuk është e mjaftueshme duke marrë parasysh vuajtjet e tyre, por është dëshmi që shteti i Kosovës ua njeh këto vuajtje dhe i respekton këto viktima. Procesi i njohjes dhe i verifikimit të statutit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është i vështirë duke marrë parasysh kohën që ka kaluar. Kemi nevojë si shoqëri të shërojmë këtë plagë duke u përballur me të”, ka deklaruar Hoti.
Kryeministri shtoi se kjo dhimbje mund të përballohet përmes kurajës për të demaskuar dhunuesit dhe për të ditur të vërtetën dhe për ta bërë të njohur të vërtetën.
Hoti u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtij krimi të tmerrshëm të aplikojnë për të fituar statusin.
“I ftoj të gjithë personat që kanë qenë viktima të këtij krimi të tmerrshëm që të aplikojnë për të fituar statusin, dhe ftoj gjithë shoqërinë tonë që të mbështesin këtë proces sepse turpi nuk është i viktimave të krimit por i atyre që kanë kryer krimin”, u shpreh Hoti. /Telegrafi/