Telegrafi

Hoti: Rasti i shtetasve turq, mund ta dëmtojë rrugëtimin tonë drejtë BE-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se 31 gjetjet e Komisionit Hetimor për deportimin e gjashtë shtetasve turq kanë dëshmuar se institucionet e Kosovës nuk i kanë respektuar të drejtat e njeriut.

Hoti këtë deklaratë e bëri në një postim të tij në rrjetin social Facebook duke shkruar se janë shkel procedurat ligjore dhe parimet evropiane për çështje të tilla.

“Në deportimin e gjashtë shtetasve turq, 31 gjetjet e Komisionit Hetimor dëshmojë se institucionet e Kosovës nuk i kanë respektuar të drejtat e njeriut, duke shkelur procedurat ligjore dhe parimet evropiane për çështje të tilla. Ne kemi ndërmarrë veprime konkrete institucionale rreth këtyre shkeljeve, me gjithë pengesat në Kuvend për të quar këtë çështje deri në fund”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, reagimet e ambasadave të vendeve mike dëshmojnë për seriozitetin e shkeljeve dhe dëmeve që i janë bërë rendit demokratik.

“Reagimet e ambasadave të vendeve mike dëshmojnë për seriozitetin e shkeljeve dhe dëmeve që i janë bërë rendit demokratik me këtë rast.  Ky rast mund ta dëmtojë rrugëtimin tonë drejtë BE-së”, ka shkruar Hoti ndër të tjera në Facebook. /Telegrafi/