Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti është problemi dhe arsyeja kryesore e vonesës në zvarritjen e çështjes së Trafikut Urban sipas ministrit të Financave, Avdullah Hoti.
“Tre hapat e parë janë kryer vitin e kaluar dhe kjo marrëveshje do të kryhej që në shtator”, ka thënë Hoti duke shtuar se ka pasur mosgatishmëri nga kryetari Ahmeti për kryerjen e procedurave në kuvendin komunal, transmeton Koha.net.
Ai më tej tha se hapi tjetër drejt realizimit të këtij projekti ka mbetur në dorën e Presidencës, që duhet të autorizoj atë që të nënshkruaj.
Për mos ballafaqimin publik që i është kërkuar Hotit nga vetë kryetari Ahmeti, ai ka thënë se nuk ka pasur nevojë për një të tillë.
“Nuk ka pasur nevojë për ballafaqim. Plotësohen kushtet dhe sipas ligjit detyrohem të nënshkruaj”, ka thënë ai në “Rubikon” të KTV-së.
Po ashtu, kredia që është marrë për blerjen e autobusëve sipas Hotit ka qenë e panevojshme pasi buxheti kryeqytetas mund të mbuloj një shumë të tillë.
Faji për bllokimin e punës së kryeqytetit i adresohet LDK-së, sipas gazetarit Astrit Gashi.
“Nuk ka asnjë dyshim që LDK tenton me blloku punën e kryetarit Ahmeti”, ka thënë ai vlerësuar se humbësi në këtë rast mbetet vetë LDK.
Nënshkrimi nga ministri Hoti tani sipas tij është veç çështje kohe dhe procedurash ligjore. “Nënshkruaj në momentin që autorizohem nga Presidenti”, përfundoi ai.