Telegrafi

Hoti, Pecit: Hera e fundit që po polemizoj me një analfabet

Përplasje në distancë e me gjuhë të ashpër janë zhvilluar mes ministrit Faton Peci dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti.

Deputeti opozitar Avdullah Hoti, fillimisht ka kritikuar ministrin Faton Peci për politikat menaxhuese në sektorin e Bujqësisë.

Ai ka shkruar në Facebook se investimet kapitale në bujqësi për periudhën janar-mars 2023 janë 0%.

“Ministri Peci është bërë inspektor kundër duhanit, që është një çështje e rëndësishme. Por ai është ministër i bujqësisë dhe duhet të merret me bujqësi e jo me çështje të inspektorëve”, ka shkruar Hoti derisa ka dhënë statistika për subvencionet në bujqësi në periudha të ndryshme.

Mirëpo nuk ka vonuar shumë dhe ka reaguar ministri Faton Peci e që sipas të cilit kjo do të jetë polemika e fundit me ish-kryeministrin Hoti.

“Hera e fundit që polemizoj me një analfabet!”, ka shkruar fillimisht Peci në replikën e tij.

Sipas tij në periudhën që e ka përmendur Hoti ka pasur vetëm aplikime për subvencione.

“Z. Hoti nuk ka pagesa të subvencioneve në këtë periudhë, janar – mars 2023 sepse në vitin 2022 s’ka pasë borxhe por në këtë periudhë ka pasë aplikim për subvencione!”

Ministri i Bujqësisë është lavdëruar se fermerëve nuk iu ka mbetur borxh, derisa sipas tij Hoti ka lënë mbi 40 milionë euro borxhe.

“Borxhi i vitit paraprak është ZERO ndërsa borxhet / obligimet tua kanë qenë mbi 40 milionë në vitin 2020 ndërsa kanë filluar të mbulohen në 2021-tën”, ka shkruar tutje Peci.

Mirëpo nuk ka heshtur as deputeti i LDK-së, i cili iu ka drejtuar ministrit të Bujqësisë, Faton Peci si “Inspektor Peci në botën e çudirave”.

Sipas Hotit, faktet dëshmojnë se puna ministrit Peci në bujqësi është “e padukshme” dhe se “inspektor Peci paska vazhduar me ofendime”.

“Është në siklet se është bërë argat i atij që çdo ditë po e dëmton shtetin e Kosovës. E shan çdo ditë shtëpinë e mëparshme politike të tij, por nuk guxon të thotë një fjalë për përjashtimin e Kosovës nga ‘Defender 2023’. E ka marrë mandatin nga Kuvendi për zhvillimin e bujqësisë, e ky merret me inspektimin e lokaleve për pirje të duhanit”, ka shtuar deputeti Hoti.

Hoti ka theksuar se është duke përfunduar viti i tretë i qeverisjes dhe “asnjë shenjë nuk ka në bujqësi nga puna e tij”.

“E ftoj z. Peci të nis të punoj diçka se i shkoi mandati. E vërteta është se, sipas raportit të Qeverisë, në tre mujorin e parë të këtij viti, subvencionet në bujqësi janë ZERO dhe investimet kapitale në bujqësi janë ZERO”, ka përfunduar Hoti./Telegrafi/