Site icon Telegrafi

Hoti: PDK duhet të tërhiqet, askush nuk dëshiron bashkëpunim me ta (Video)

Menjëherë pas takimit konsultativ të thirrur nga kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, koalicioni LAA ka thirrur një tryezë diskutimi në Kuvendin e Kosovës, për të cilën i ka bërë ftesë Lëvizjes Vetëvendosje por jo edhe koalicionit PAN.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti, në intervistën dhënë televizionit 21 ka thënë se nëse koalicioni PAN dështon në krijimin e institucioneve, LDK, gjegjësisht koalicioni LAA do të fillojë intensivisht negociatat me të gjitha partitë politike që janë të përfaqësuara në Kuvend, duke përjashtuar PDK-në.

“Kemi një muaj kohë të humbjes së kohës për themelimin e institucioneve. Deri më tash janë mbajtur pesë seanca në të cilat koalicioni i udhëhequr nga PDK nuk është paraqitur. Ata po sillen me papërgjegjësi të plotë karshi situatës që kanë krijuar vetë. Ata bëjnë propozime në zyrat e partive të tyre politike por asnjëherë nuk vijnë në Kuvend, aty ku do të duhej të bënin propozime. Ata bëjnë presione nga më të ndryshme ndaj deputetëve të caktuar”, ka thënë ndër Hoti.

Sipas tij, rezultati zgjedhor është i qartë, askush nuk e ka fituar shumicën e nevojshme për të themeluar institucionet dhe askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me PDK.

Andaj, ka shtuar Hoti, PDK-ja duhet ta kuptojë se pse askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta.

“Duke qenë kështu ata duhet të tërhiqen, të dorëzojnë mandatin në Kuvendin e Kosovës, duke treguar se nuk e kanë shumicën e nevojshme”, ka shtuar Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version