Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria Kurti u përpoq që ta mbyll medien, ndër më kryesoren në vend, Klan Kosovën.
Ai tha se si mundet që një vend të renditet mirë në lirinë e medies, kur gazetarët sulmohen nga eksponentë të qeverisë.
“Si mundet një vend të renditet mirë në lirinë e medias kur gazetarët janë të sulmuar prej eksponentëve të qeverisë dhe zyrtarëve të partisë në baza të rregullta dhe kishte përpjekje që të mbyllet media më kryesore në vend. Kush e beson këtë?”, tha Hoti në Rubikon në Klan Kosova.
Ai foli edhe për projektet, të cilat sipas tij, gjatë Qeverisë Kurti janë duke pauzuar tash e dy vite.
“Shkuan dhe e miratuan një ligj në kuvend vitin e kaluar për mbështetje të investimeve publike për t’i kompensuar kontratat për rritjen e cmimeve gjatë vitit të kaluar. U bë ligj i dëmshëm, por megjithatë u bë ai ligj. Tash jemi në qershor të vitit 2023, dhe asnjë cent nuk është paguar”, tha Hoti.
Kujtojmë se më 14 qershor, MINT-i e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës. Kjo nga shumë organizata vendore e ndërkombëtare që merren me lirinë e medias u pa si tentim për mbyllje të televizionit Klan Kosova nga ana e qeverisë.