Site icon Telegrafi

Hoti paralajmëron themelimin e Komisionit Parlamentar dhe Këshillit të Ekspertëve për dialog

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se do ta themelojnë Komisionin Parlamentar të Dialogut si dhe Këshillin e Ekspertëve të Dialogut, në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Hoti gjatë një diskutimi mbi temën “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë”, e organizuar nga KDI, ka thënë së nuk do të përkrah asnjë format të dialogut që nuk është institucional.

Hoti tha se do të themeloj Komisionin Parlamentar për Dialog, dhe se ky komision do të udhëhiqet nga opozita.

Ai po ashtu ftoi partitë politike që të jenë pjesë e procesit të dialogut.

“I ftoj ata që të jenë pjesë e procesit, që të na dëgjojnë dhe të japin vërejtjet e tyre. Por opozita do të jetë e përfshirë në mbikëqyrje të procesit, pasi themelimi i Komisionit Parlamentar për Dialog,  do të udhëhiqet nga opozita. Ndërsa, barrën për procesin e dialogut, e merr qeveria duke u bazuar në Kushtetutë”, u shpreh ai.

Lexo po ashtu Hoti sërish do të takohet me Lajçakun: Vizita e tij është aranzhuar menjëherë pas marrjes së mandatit

Kryeministri Hoti, theksoi se do të sigurohen që ky proces të jetë shumë transparent.

“Këtë proces e shoh tepër të rëndësishëm sepse me njohje reciproke ne lëvizim drejt BE-së. Ka një dakordësi në këtë drejtim që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është marrëveshje për siguri evropiane”, u shpreh ai.

Hoti gjithashtu tregoi se brenda zyrës së tij do të themeloj edhe Këshillin e Ekspertëve për Dialog.

“Nuk do të përkrah asnjë format të dialogut që nuk është institucional, e kam marr miratimin e partive të koalicionit qeverisës. Do ta themeloj Këshillin e Ekspertëve për Dialog, brenda zyrës time. Kjo është e rëndësishme pasi në procesin e dialogut ne do t’i ftojmë të gjithë njerëzit që kanë qenë të përfshirë në procesin e dialogut”, ka thënë ndër të tjera, Hoti.

Ndërkaq, Hoti në tryezën e organizuar nga KDI foli edhe për vizitën e djeshme që ia bëri emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ai tha se kjo vizitë është aranzhuar menjëherë pas marrjes së mandatit të tij dhe se sërish të enjten do të ketë një takim të radhës për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, si prioritet i kësaj qeverie. /Telegrafi/

 

Exit mobile version