Ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Britani të Madhe, zhvilloi takime bilaterale me zyrtarë të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ku përveç tjerash është diskutuar edhe për investimet e mundshme në linjën hekurudhore Fushë Kosovë-Aeroporti i Prishtinës, si dhe për linjën hekurudhore Fushë Kosovë – Merdare, ku ekipi i konsulentëve kanë filluar punën.
“Gjatë këtij takimi gjithashtu u diskutua edhe për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Pejë (Kijevë -Zahaq), ndërtimin e rrugës së re Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë. Ndërsa, për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Merdare bisedat për këtë projekt ishin kryesisht informative dhe pritet që projekti të jetë një bashkëfinancim i BERZH, EIB dhe IPA fondet rajonale. Me këtë rast zyrtarët e lartë të BERZH-it edhe njëherë shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe gjithashtu shprehën zotimin e tyre për të përkrahur Kosovën sidomos në projektet të cilat janë prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/