Site icon Telegrafi

Hoti: Para vazhdimit të dialogut, qeveri gjithpërfshirëse dhe marrëveshje për zgjedhje të reja

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti përsëri e ka kundërshtuar Platformën e dialogut, e cila pritet që së shpejti të shkojë në Kuvend.

Hoti ka deklaruar se kjo qeveri është jolegjitime, dhe sipas tij nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në asnjë proces.

“Interesat e Kosovës mbrohen nga një qeveri e fuqishme që flet në emër të qytetarëve të vendit, dhe proceset i kryen me partnerët dhe duke u bazuar në Kushtetutë. Një dokument që e kemi hartuar ne si LDK thotë që Kosova duhet të hyjë e unifikuar në këtë prcoes. Dokument unifikues, jo ligj për dialog. Një dokument mund të shkojë përapara vetëm nëse merr 2/3 e votave, pasi marrëveshja kërkon që të ratifikohet me shumicën e votave në Kuvend”, ka thënë Hoti për RTV 21.

Shefi i deputetëve të LDK-së tutje ka deklaruar se para vazhdimit të dialogut, duhet të ketë marrëveshje për zgjedhje të reja dhe qeveri gjithpërfshirëse.

Sipas Hotit, LDK-ja nuk po i ik përgjegjësisë, por vetëm po e tregon rendin e gjërave si duhet të shkojnë.

“Ne nuk i ikim përgjegjësive, por kemi treguar rendin e gjërave. Duhet një qeveri legjitime, duke shkuar në zgjedhje të reja në mënyrë që qytetarët të thonë vendimin e tyre. Dhe e dyta pasi ky proces ka kaq shumë rëndësi, eja të ulemi të gjithë dhe ta ndërtojmë një qeveri gjithpërfshirëse”, ka deklaruar tutje Avdullah Hoti.

Ndryshe, platforma e dialogut ka arritur në Kuvend, dhe së shpejti pritet të caktohet seanca ku do të votohet për këtë dokument. /Telegrafi/

Exit mobile version