Deputeti nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti, ka deklaruar pas mbylljes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës se koalicioni PAN nuk e ka shumicën.
Seanca u mbyll nga kryesuesi Adem Mikullovci, i cili nuk u pajtua që seanca të shkojë në pauzë dy orëshe ashtu siç kërkoi Enver Hoxhaj në emër të koalicionit PAN.
Me këtë rast nuk u zgjodh as kryetari i kuvendit, teksa Hoti thotë se kjo është një fatkeqësi që ka ndodhur në sy të qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar.
“Në vend se të konstituohen institucionet, fatkeqësisht para qytetarëve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar nuk arritëm të bëjmë këtë. Para tri jave është dashur të kemi Kuvendin dhe Qeverinë. Unë bëj thirrje që institucionet të formohen nga shumica e Kuvendit dhe ata (PAN) nuk e kanë shumicën në Kuvend, prandaj kërkoj që sa më shpejt të formohen institucionet”, deklaroi Avdullah Hoti pas mbylljes së seancës.
/Telegrafi/