Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, foli për rritjen e pagave, pensioneve dhe asistencës sociale gjatë këtij mandatit dhe atij të ardhshëm nëse koalicioni i tij vjen në pushtet.
Hoti përmendi që ata kanë rritur pagat menjëherë porsa kishin ardhur në pushtet, dhe se në prill të vitit 2015 kishin rritur pagat për përvojën e punës. Sipas Hotit, nga 4-5%, rritja e pagës për përvojën e punës është rritur në 20% për përvojën e punës të secilit zyrtar.
“Kemi rritur pensionet deri në 60%. Nga 140 euro deri në 220 euro”.
“Kemi rritur asistencën sociale për 20 %”, shtoi ai.
“Tash pagat rriten në përputhje me rritjen ekonomike të vendit”, tha ai.
“Në javët e para do të fillojmë me rritjen e asistencës sociale”.
Në lidhje me sektorin privat, ai shpalosi planin për të ngushtuar hendekun mes pagave të sektorit publik dhe atij privat, dhe tha se për aq sa rritet produktiviteti mesatar i ekonomisë, për aq rriten pagat.
Për pagën minimale, Hoti tha se do të jetë 200 euro, pasi që kanë arritur ta vlerësojnë se kjo pagë i mbulon shpenzimet minimale.
“Jemi dakorduar për rritjen e pagës minimale. Paga minimale do të jetë 200 euro. Është një pagë që i mbulon shpenzimet minimale”, tha ai.
Hoti tha se pagat minimale dhe skemat e tjera janë të lidhura komplet, se çdo gjë është e koordinuar dhe nuk ka pasur e as nuk do të ketë probleme në lidhje me këtë.
“Ne sot kemi plot skema sociale që kanë nevojë të riformohen, të integrohen disa prej tyre, dhe të lidhen me pagën minimale dhe standardin e jetesës”.
“Ne skemat i kemi ndarë, në kontributdhënës – këto pensione i kemi rritur deir në 60%”.
Sa i përket administrave, ai tha se ajo që duhet ndodhur është rritja e efikasitetit të administratës.
Ai pohoi se kanë trashëguar një administratë që ka dyfishim të funksioneve në disa situata, dhe tha se ajo që qeveria e tij do ta bënte do të ishte fuzionimi i administratave.
“Do të reduktohet numri i zyrtarëve publikë”, tha ai.
Sa i përket TVSH-së dhe doganave, Hoti tregoi që hapi i parë të cilin do ta ndërmarrin do të jetë bashkimi i adminsitratës tatimore dhe asaj doganore.
Ai tha se ligji është i gatshëm nga shtatori i vitit të kaluar, dhe se pret që të miratohet e të procedohet në kuvend, e ndër të tjera përmendi edhe sistemin e ri të fiskalizmit si një hap tjetër që ata do ta ndërmarrin në rast se qeverisin me vendin.