Telegrafi

Hoti ofron fakte për abuzime me subvencione nga Zyra e Kryeministrit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shpalosur disa fakte për abuzime me subvencione nga Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj të nxjerra nga Raporti i Auditorit për vitin 2018.

Hoti me anë të një shkrimi në Facebook, ka treguar se si disa organizata jo-qeveritare kanë fituar shuma të mëdha nga kjo Zyre në kundërshtim me rregulloret.

“Janë ndarë 815 mijë euro për një OJQ në kundërshtim me Rregulloren 04/2017, e cila rregullore i përcakton procedurat dhe kriteret për ndarjen e subvencioneve për OJQ. Për këtë OJQ janë bërë pagesa prej 806 mijë euro pa raporte përkatëse për punët e kryera. Auditori konstaton se për shkak të mungesës së raporteve, nuk mund të konstatojë për rregullsinë e këtyre pagesave”, shkruan Hoti.

Shkrimi i plotë i Hotit

Fakte për abuzim me subvencione nga Zyra e Kryeministrit bazuar ne Raportin e Auditorit për 2018

1. Janë ndarë 815 mijë euro për një OJQ në kundërshtim me Rregulloren 04/2017, e cila rregullore i përcakton procedurat dhe kriteret për ndarjen e subvencioneve për OJQ. Për këtë OJQ janë bërë pagesa prej 806 mijë euro pa raporte përkatëse për punët e kryera. Auditori konstaton se për shkak të mungesës së raporteve, nuk mund të konstatojë për rregullsinë e këtyre pagesave.

2. E njëjta OJQ i ka marrë edhe 30 mijë euro për të njëjtin projekt, nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

3. Janë ndarë 315 mijë euro për persona fizik nga Zyra për Çështje të Komuniteteve pa procedura dhe pa aprovim të Komisionit. Në disa raste janë ndarë mjete për zbukurim të shtëpive, si roleta të dritareve dhe fasade.

4. Mijëra euro ndahen nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Kulturës dhe Koordinatori Nacional për Kulture, Rini e Sport, për te njëjtat projekte dhe për të njëjtat OJQ.

Kur i sheh si janë përdorur subvencionet nga Kryeministri del ne pah arsyeja pse është trefishuar buxheti për subvencione i Kryeministrit nga 1.3 milion euro më 2017, në 3.6 milionë euro më 2018.

Të gjitha këto i gjeni në Raportin e Auditorit për 2018 për Zyrën e Kryeministrit. Ky raport do te diskutohet ne Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe eventualisht në seancë. Llogaridhënie do të ketë. /Telegrafi/