Pas 129 rasteve të reja me COVID-19 të regjistruara sot në Kosovë, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka bërë thirrje që të respektohen rekomandimet e OBSH-së.
Hoti, përmes një postimi në Facebook, deklaroi se numri i shtuar i rasteve të konfirmuara sot me COVID-19 është si pasojë e mos kujdesit pas lehtësimit të masave të lëvizjes.
“Qeveria jonë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës është duke i zbatuar masat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si dhe po ndjekim hapat e vendeve të BE-së për rimëkëmbje ekonomike”, ka shkruar Hoti.
Postimi i plotë i Hotit:
“Të dashur qytetarë,
Numri i shtuar i rasteve të konfirmuara sot me #COVID19 është pasojë e mos kujdesit pas lehtësimit të masave të lëvizjes. Qeveria jonë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës është duke i zbatuar masat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si dhe po ndjekim hapat e vendeve të BE-së për rimëkëmbje ekonomike.
Është krejtësisht në pergjegjësinë tonë që të mbrohemi dhe t’i zbatojmë me përpikmëri masat e distancës fizike. Prandaj, sërish ju bëj thirrje që të shtojmë kujdesin për neve dhe familjarët tanë!
● Vendosni maska gjatë gjithë kohës në hapësira publike
● Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar të papastërta
● Pastroni dhe dezinfektoni shpesh objektet dhe sipërfaqet e prekura siç janë tavolinat, tastierat, telefonat, parmakët dhe rezat e dyerve
● Mbajeni distancën fizike
● Nuk lejohet më shumë se 1 person në 8 metra katrorë në lokale
● Pronarët e lokaleve janë të obliguar të publikojnë numrin maksimal të lejuar të personave para hyrjes së lokaleve
#mbajedistancen“, ka shkruar Hoti. /Telegrafi/