Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ka bërë që doganat e Kosovës të inkasojnë 5 milionë euro më pak të të hyrave.
Këto humbje, sipas drejtorit të përgjithshëm të Doganave, Lulzim Rafuna, nuk kanë ndikuar në të hyrat e përgjithshme . Sipas tij, deri tash Doganat kanë realizuar 18 për qind më shumë të hyra se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak duke tejkaluar projeksionet buxhetore për 8 për qind.
“Sa i përket impaktit material në të hyra që ka pasur MSA-ja në tatimin doganor, që nga 1 prilli deri më 24 qershor të 2016, impakti është 4 milion e 955 mijë euro lirime nga tatimi doganor, për mallrat që janë importuar drejt Bashkimit Evropian. Çka do të thotë që në buxhetin tonë nga të hyrat e mbledhura nga dogana, j anë më pak afërsisht 5 milion euro për tre muaj nga MSA-ja… Sa i përket të hyrave deri më sot, Dogana e Kosovës ka inkasuar 457 milion e 240 mijë euro që është 18 për qind më shumë se në vitin e kaluar”, tha Rafuna.
Ai po ashtu ka treguar se përveç MSA-së në të hyra ka ndikuar edhe vendimi i Qeverisë për lirimin e lëndës së parë dhe makinerive. Çka do të thotë që janë importuar mallra në vlerë prej 60 milionë euro me TVSH të liruar.
“Sa i përket çështjes së vlerësimeve, që është një fushë që ka ndikuar drejtpërdrejtë në luftimin e evazionit fiskal, ne vitin e kaluar kemi inkasuar 21 milion e 597 mijë euro detyrime nga rivlerësimi i ma llrave. Duke e luftuar nënvlerësimin e mallrave ne i kemi inkasuar 21 milion euro më shumë. Ndërsa në këtë 6 mujor i kemi inkasuar 10 milion e 483 mijë euro më shumë nga rivlerësimi i mallit, po ashtu duke e luftuar nën vlerësimin e mallit”, tha Rafuna.
Ndërsa, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka shqetësim për këto humbje dhe se nuk do të ketë ndryshime në politika fiskale.
“Nuk kemi nevojë të rishikojmë asnjë taksë ose akcizë si rezultat i zbatimit të MSA , sepse të hyrat po shkojnë shumë mirë. Pavarësisht se kemi pasur lirime prej 15 milion euro si rezultat i MSA-së dhe i politikave fiskale të hyrat janë plus 7 milion euro. Nuk kemi asnjë arsye të shqetësohemi që të ndërmarrim masa për kompensimin e këtyre lirimeve që kanë ardhur si rezultat i MSA dhe politikave fiskale”, tha Hoti.
Këto u bënë të ditura sot në konferencën e organizuar nga Doganat ku janë prezantuar të dhënat mbi implementimin e tre mujorit të parë të implementimit të MSA-së. /Telegrafi/