Site icon Telegrafi

Hoti ngre alarmin për mungesë të investimeve kapitale, kërkon rishikim të politikave fiskale

Foto: Arkiv

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaron se në Qeverinë Kurti janë përgjysmuar investimet kapitale në vend. Ndërsa, sa i përket Ligjit për pagën minimale që nga ana e qeverisë u vlerësua si i suksesshëm, Hoti vlerëson se është dashur të rishikohet kjo pagë, në mënyrë që sipas tij, të përshtatet me inflacionin që ka mbizotëruar në vend viteve të fundit.

Paga aktuale minimale në Kosovë, për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeçare është 170 euro, ndërsa të punësuarit e moshës nën 35 vjet kanë pagën minimale në vlerë prej 130 euro.

Deputeti i LDK-së, në një intervistë për KosovaPress ka kritikuar qeverinë aktuale për mungesë të politikave fiskale, që të përballen bizneset me inflacion.

“Për fat të mirë një ligj është në fuqi, i cili e përcakton formulën se si përcaktohet paga minimale. Por këta e sollën në Kuvend një ligj pa asnjë konsultim publik paraprakisht me grupet që ndikohen nga paga minimale dhe u krijua një situatë absurde në komunikimin publik në këtë drejtim, dhe gati janë në fund të mandatit pa pas mundësi të bëhet lëvizje në pagën minimale.

Është fakt se në të kaluarën kanë qenë vite pa u prek paga minimale, por nuk ka pasur normë të madhe të inflacionit në qeveritë e kaluara. Gjatë kësaj qeverie ka pas inflacion të lartë, dhe ka qenë e kuptueshme që të rishikohet edhe paga minimale, por edhe të ardhurat e grupeve të caktuara të qytetarëve”, thotë mes tjerash Hoti.

Kjo qeveri, sipas Hotit, ngecje pati edhe në investimin e projekteve kapitale.

Teksa thotë se janë përgjysmuar investimet kapitale në Kosovë të nivelit qendror, ai shton se të dhënat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve kapitale shkon për avance për investime kapitale.

“Shumica e vendeve i kanë rishikuar normat tatimore, i kanë indeksuar të ardhurat për grupe të caktuara të popullsisë, siç janë pensionet, shtesat e ndryshme, kanë ndërtuar skema gjeneroze, që e kanë ndihmuar ekonominë të rikuperohet. Ajo që ka ndodhë në Kosovë është mungesë totale e politikave fiskale, vetëdijes së qeverisë që të përballet me krizën e energjisë dhe të inflacionit. Tek rasti energjisë kemi pasur dyfishim të çmimit të energjisë, tek rasti inflacionit asnjë masë për qytetarët, përveç disa ndihmave të njëhershme për disa prej grupeve të qytetarëve…

Asnjë masë nuk e kemi parë në këtë drejtim dhe tash statistikat edhe zyrtare dhe të organizatave ndërkombëtare tregojnë që është përkeqësuar varfëria në vend. Norma e zhvillimit ekonomik në vitin 2022 dhe fillim të vitit 2023 ka rënë në nivele rreth 2 për qind, vitin e kaluar është rikuperuar pak mbi 3 për qind. Roli i sektorit publik që ka qenë përmes investimeve kapitale në të kaluarën, qeveria i ka ndihmuar shumë zhvillimit ekonomik përmes investimeve kapitale, ndërsa gjatë këtyre tre viteve pothuajse ka qenë inekzistent nga rënia e investimeve kapitale në nivele shumë të ulëta”, nënvizon Hoti.

Ish-ministri i Financave Hoti ka theksuar po ashtu se të dhënat tregojnë që një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve kapitale shkon për avance për investime kapitale.

Derisa ka shtuar se janë përgjysmuar investimet kapitale, por edhe me këto investime kapitale që po ndodhin, janë përgjysmë më pak se ato të qeverive paraprake.

“Në vitin 2015 deri në vitin 2019 para pandemisë, mesatarisht diku 18 deri 21 për qind të buxhetit është shpenzuar për investime kapitale të nivelit qendror. Gjatë mandatit të kësaj qeverie kjo ka rënë në 12 për qind. Buxheti 2.9 miliard euro në vitin 2023, investimet kapitale, niveli qendror 348, që është 12 për qind, ose në vitin 2022, buxheti 2.6 miliard euro, ndërkohë investimet kapitale 275 milion që është 11 për qind e buxhetit total, krahasuar me vitet tjera kur buxheti ka qenë dukshëm më i ulët sesa që është tash, që është normale se nga viti në vit rritet buxheti, por që investimet kapitale kanë qenë 18 apo 20 për qind e buxhetit total.

Pra, janë përgjysmuar investimet kapitale, por edhe me këto investime kapitale që po ndodhin, përgjysmë më pak se qeveritë paraprake, ne nuk shohim efekte në terren, sepse të dhënat tregojnë që një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve kapitale shkon për avance për investime kapitale. Në vitet paraprake nga viti 2016 deri në 2019, mesatarisht janë dhënë 1.4, 1.8, 4.9 milion euro në vit për avance për investime kapitale, pra pagesa paraprake për investime kapitale që nuk ndodhin ende për arsyeje nga më të ndryshmet.

Por, në këtë qeveri, 88 milion në vitin 2022, që i bie një e katërta e krejt shpenzimeve kapitale janë dhënë si avance, ose 60 milion në vitin 2023. Nuk sheh në terren investime kapitale fare, sepse ato shpenzime që shkojnë për çështje kapitale, në fakt nuk ndodhin, por janë avance. Pra, përmbyllet viti i katërt pa parë në terren asnjë projekt madhor që ndikon në strukturën ekonomike të vendit ose në zhvillim ekonomik. Ka qenë e paimagjinueshme që këta njerëz janë kaq të padijshëm dhe të padobishëm për ekonominë e vendit”, thekson Hoti. /kp/

Exit mobile version