Telegrafi

Hoti: Nga sot vendi po hyn në krizë të thellë institucionale

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka theksuar se vendi pas ditës së sotme po hyn në një krizë të thellë institucionale.

Ai në foltoren e Kuvendit, ka thënë se kemi hyrë në muajin e tretë prej se janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se “nuk është e qartë se kur mund të krijohen institucionet e vendit”.

“Kjo situatë është krijuar nga një grup që e ka monopolizuar të drejtën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ky monopolizim po bëhet për shkak të dy individëve, duke mos ndjekur asnjë rrugë për zgjidhjen e problemit të tyre”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, nëse ky koalicion do të sillej në mënyrë normale, ata do ta propozonin kandidatin për kryetarin e Kuvendit.

“Më vjen keq që një grup i tërë politik, krejt shpresat për formimin e institucioneve po i varen nga vullneti i disa matrapazëve që po ndërmjetësojnë për t’i bindur disa individë/deputetë për ta  votuar këtë grupim politik”, ka shtuar Hoti. /Telegrafi/