Ministri i Financave Avdullah Hoti ka nënshkruar Rregulloren për Administrimin e Fondeve të Huamarrjes.
“Me këtë Rregullore përcaktohen rregullat e shfrytëzimit të fondeve për te gjitha organizatat buxhetore dhe ndërmarrjet publike, të cilat financojnë projekte nga huamarrja shtetërore”, thuhet në një komunikatë për media.
Sipas komunikatës rregullorja siguron kontroll të brendshëm financiar të shfrytëzimit të fondeve të huamarrjes shtetërore duke obliguar organizatat buxhetore dhe ndërmarrjet që të hartojnë procedura të brendshme për të siguruar koordinim të saktë të përgjegjësive në kuadër të hierarkisë së brendshme, procedura të cilat sigurojnë që çdo pagesë nga fondet e huamarrjes të ju nënshtrohet autorizimeve të brendshme para ekzekutimit.
“Përmes kësaj rregulloreje përcaktohet që të gjitha pagesat nga huamarrja shtetërore t’iu nënshtrohen procedurave të regjistrimit dhe ekzekutimit të parasë publike të nxjerra nga Thesari për organizatat buxhetore, gjithmonë në koordinim të plotë me procedurat e negociuara në pakot e marrëveshjeve financiare”.
Projektet me financim nga huamarrja shtetërore do t’iu nënshtrohen rregullave të auditimit sipas legjislacionit në fuqi për të siguruar që fondet e huamarrjes po shfrytëzohen në mënyrë sa më efikase të mundshme. /Telegrafi/