Site icon Telegrafi

Hoti në takim me presidenten e parlamentit zviceran: Pezullimi i dialogut, nuk i shërben interesave shtetërore të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim një delegacion nga Parlamenti i Zvicrës, i kryesuar nga Presidentja e Parlamentit, Isabelle Moret.

Hoti dhe Moret biseduan për zhvillimet e fundit në vendin tonë, me theks në menaxhimin e pandemisë COVID-19, procesin e dialogut Kosovë-Serbi si dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

“Sa i përket pandemisë me COVID-19, Hoti e njoftoi Moret me gjendjen aktuale dhe me masat e reja që janë propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, konform gjendjes pandemike në vend.

Hoti, theksoi se dialogu Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk ka alternativë dhe se pezullimi i këtij procesi nuk i shërben interesave shtetërore të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi se Kosova me Serbinë në Bruksel po dialogojnë për arritjen e marrëveshjes finale, me njohje reciproke, në kufijtë aktual”, thuhet në njoftimin për media.

Sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Hoti, e njoftoi delegacionin nga Parlamenti Zviceran me hapat që janë duke u ndërmarrë për riorganizimin e Policisë së Kosovës, me të cilat synohet ngritja e efikasitetit në punë. Por duke insistuar gjithmonë në respektimin e ndarjes së pushteteve.

Temë e takimit ishte edhe diaspora e Kosovës që jeton në Zvicër dhe mundësitë e përfshirjes së tyre në projekte zhvillimore e investime kapitale në vendin tonë.

Kryeministri Hoti dhe Presidentja Moret u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë./Telegrafi/

Exit mobile version