Site icon Telegrafi

Hoti: Në raportimin e Muratit u vërtetua se asnjë cent nuk është paguar për dëmet nga vërshimet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në raportimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, është vërtetuar se asnjë cent nuk është paguar për të kompensuar të dëmtuarit nga vërshimet e ndodhura në fillim të këtij viti.

Lexo po ashtu Të dëmtuarit nga vërshimet nuk u kompensuan, vlera e dëmeve 34 milionë

Murati në mbledhjen e së premtes të Komisionit Parlamentar për Buxhet raportoi në lidhje me procesin e kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Ai tha se dëmet e vërshimeve të shtatorit të 2022-ës dhe ato të këtij fillimviti kapin vlerën e 34.8 milionë eurove. Sipas ministrit Murati, arsyeja se pse ende nuk janë kompensuar të dëmtuarit, është se nuk kanë pranuar me kohë listat e detajuara të tyre.

“Në raportimin e Ministrit të Financave, u vërtetua se asnjë cent nuk është paguar për dëmet nga vërshimet e ndodhura më 27 janar 2023, dëme në vlerë prej 23.5 mil euro, ku janë dëmtuar 1,253 familje/shtëpi, 214 biznese dhe 582 ekonomi bujqësore. Nuk janë paguar as dëmet e vitit 2022, në shumë prej 7.2 mil euro”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai tutje ka rikujtuar se Kuvendi i Kosovës në mars të vitit 2023 e ka ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore, ku një pjesë e mjeteve janë paraparë për kompensim të dëmeve. /Telegrafi/

Exit mobile version