Site icon Telegrafi

Hoti në Mitrovicë: Veriu i Kosovës është pjesë integrale dhe e pandashme e Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se veriu i Kosovës është pjesë integrale dhe e pandashme e Kosovës.

Hoti këtë deklaratë e bëri në një tryeze diskutimi në Mitrovicë me përfaqësues të kryesisë qendrore, me Grupin Parlamentar të LDK-së si dhe me qytetarët e Mitrovicës.

Ndër tjerash, ai ka thënë se problemi me rendin dhe sigurinë për qytetarët që jetojnë në atë pjesë nuk duhet të përdoret asnjëherë që të heqin dorë nga ajo pjesë e Kosovës.

Hoti po ashtu tha se me përkrahjen e qytetarëve në terren, do t’i ndalin përpjekjet e dëmshme për Kosovën.

“E kam parasysh se jemi në një pjesë të Kosovës ku menjëherë matanë urës nuk e kemi shtrirë ende sovranitetin e shtetit të Kosovës, kemi problem me rendin dhe sigurinë për qytetarët që jetojnë në atë pjesë, por kjo nuk duhet të përdoret asnjëherë që ne të heqim dorë nga ajo pjesë e Kosovës. Unë ju siguroj se brenda fuqisë tonë politike që kemi dhe kjo fuqi po rritet çdo ditë me përkrahjen qytetare në terren, do t’i ndalim këto përpjekje të dëmshme”, theksoi Hoti.

Edhe kryetari i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, ka shprehur shqetësimin e qytetarëve të Mitrovicës rreth deklaratave të fundit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai tha se janë shqetësime të cilat qytetarët mitrovicas, janë mësuar tashmë.

Ndërsa, deputetja Vjosa Osmani, theksoi se zëri i qytetarëve të Mitrovicës asnjëherë nuk është dëgjuar dhe se vendimet për ta janë marr nga një distancë e largët.

“Ka ardhur koha të flasim pak edhe për dimensionin njerëzor të këtyre planeve djallëzore e luftënxitëse që po i promovojnë për fat të keq, për herë të parë në historinë e Kosovës, edhe vet njerëz që janë shqiptarë të Kosovës”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/

Exit mobile version