Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, me rastin e 24-vjetorit të rënies së heroit Zahir Pajaziti, ka vendosur kurora lulesh te shtatorja e tij në Prishtinë.
Hoti ka vlerësuar lart veprën dhe sakrificën e Zahir Pajaziti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Sot bashkë me anëtarë të kabinetit bëmë nderime tek shtatorja e Zahir Pajazitit dhe bashkëluftëtarëve të tij. Prej këtu do të vazhdojmë edhe në Orllan, në Podujevë. Është ditë e veçantë. Ne sot nderojmë kontributin e tij, bashkëluftëtarëve të tij dhe të gjithë atyre që kanë rënë për lirinë dhe pavarësi, të cilën e gëzojmë sot. Është bërë ritual i zakonshëm që çdo vit ne të bëjmë nderimet ndaj tyre dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre në mbarë Kosovën”, theksoi Hoti.
Me rastin e 24-vjetorit të rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha homazhe kanë bërë edhe përfaqësues të PDK-së, VV-së dhe ish-komandanti i UCK në Llap Rrustem Mustafa me bashkëluftëtarë./Telegrafi/