Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se marrëveshja ekonomike e cila u nënshkrua sot në Uashington është një hap i madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti u shpreh se synimi është arritja e njohjes reciproke dhe kjo marrëveshje është hap i rëndësishëm drejt arritjes së këtij qëllimi.
“Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën. Sot, në Shtëpinë e Bardhë, nënshkruam një marrëveshje që është hap i madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Synimi ynë është arritja e njohjes reciproke dhe marrëveshja e sotme me karakter ekonomik, është një hap shumë i rëndësishëm drejt arritjes së njohjes reciproke”, shkruan Hoti.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel të hënën, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve. /Telegrafi/