Site icon Telegrafi

Hoti: Lojërat për shkëmbim apo korrigjim territoresh po i kushtojnë Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se lojërat me fjalë për “shkëmbim territoresh” si dhe “korrigjim të kufijve”, janë të kota, por që po i kushtojnë Kosovës për njohje të reja si dhe pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Hoti këto komente i bëri në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjera ka shkruar se askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës, pasi do të binte ndesh me vullnetin e popullit të Kosovës.

Ai po ashtu ka thënë se vet ideja që kjo çështje mund të diskutohet në dialogun me Serbinë e ka nxjerrë jashtë funksionit të saj të gjithë diplomacinë e Kosovës.

Lexoni më poshtë postimin e tij në rrjetin social Facebook:

“Lojërat me fjalë si ‘shkëmbim territoresh’ dhe ‘korrigjim të kufijve’ janë të kota, por po na kushtojnë me stopim të plotë të njohjeve të reja.

Kosova është pranuar shtet i pavarur në kufijtë e vitit 1989. Janë mbi 110 vende që na kanë njohur në ata kufij. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë merr parasysh ata kufij dhe bazuar në këtë opinion na kanë njohur shtetet më të fuqishme dhe demokratike të botës.

Askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës, sepse do të binte ndesh me vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur, të shpallur me Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt 2018, dhe me Kushtetutën e Kosovës.

Lojërat me fjale si ‘shkëmbim territoresh’ ose ‘korrigjim i kufijve’ po e dëmtojnë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Vet ideja që kjo çështje mund të diskutohet në dialogun me Serbinë e ka nxjerrë jashtë funksionit të saj të gjithë diplomacinë e Kosovës. Sot në asnjë takim a forum ndërkombëtarë nuk diskutohet për njohje të reja që duhet t’i vijnë Kosovës, sepse liderët institucional të Kosovës kanë dhënë sinjale se do të rishikojnë tërësinë territoriale të Kosovës. Kjo është e pafalshme dhe do të ndëshkohet nga qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/

 

Exit mobile version