Kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, dhe kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, vizituan të mërkurën fabrikën për përpunimin e mishit “Calabria”, për të parë nga afër punën e madhe që bëhet aty, si kanë zhvilluar një debat të frytshëm me bujqit e Gjilanit.
Ata me këtë rast thanë se “Calabria” është shembull i suksesit në Gjilan dhe Kosovë, ndërkaq kanë dhënë zotimin se në Qeveria e ardhshme do ta rrisë buxhetin për bujqësinë për 150 milionë euro.
“Po e bëj publike sot këtu që do ta trefishojmë buxhetin për bujqësinë dhe do kujdesemi që në këtë fushë t’i japim rol shumë më të madh komunave. Kjo është pika kryesore e programit tonë dhe nënkupton rritjen e prodhimit vendor”, ka thënë Hoti.
Ai tha se është në përfundim master-plani për sistemi i ujitjes, në mënyrë që të dyfishohen tokat bujqësore që janë në ujitje në tërë Kosovën.
Gjatë vizitës në këtë fabrikë, Haziri e Hoti kanë dhënë lajmin për mbështetjen edhe të prodhuesve të mishit, përderisa kanë deklaruar se Gjilani do të bëhet vend i gjelbër, duke bërë publike mbështetjen e Qeverisë për kultivimin e bimës së duhanit, që nënkupton subvencionimin e çdo hektari të duhanit dhe garantimin e shitjes.
“Në këtë fushë llogaritet se do të punësohen rreth 18 mijë njerëz”, tha Hoti. /KP/