Site icon Telegrafi

Hoti: Kushdo që e shfrytëzon kohën e masës së përkohshme për të degraduar institucionet e vendit, do të zhgënjehet keq

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të dekretit të presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, ka reaguar ky i fundit, duke thënë se vendimi i Kushtetueses duhet të pranohet nga të gjithë.

Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “kushdo që e shfrytëzon këtë kohë të masës së PËRKOHSHME për të degraduar institucionet ekzekutive të vendit, rrënimin e ekonomisë dhe përdorimin e pandemisë për të shkelur liritë tona themelore, do të zhgënjehet keq, siç po zhgënjehen çdo ditë përmes shpalljes së vendimeve të tyre kundër kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.

Postimi i plotë i Hotit:

“Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të pranohet nga të gjithë, pa asnjë kundërshtim, me urtësinë dhe detyrimin që kemi ndaj vendimeve të këtij institucioni gardian të Kushtetutës. Vetëm kështu e avancojmë demokracinë tonë. Nuk ka rrugë të dytë.

Në anën tjetër, kushdo që e shfrytëzon këtë kohë të masës së PËRKOHSHME për të degraduar institucionet ekzekutive të vendit, rrënimin e ekonomisë dhe përdorimin e pandemisë për të shkelur liritë tona themelore, do të zhgënjehet keq, siç po zhgënjehen çdo ditë përmes shpalljes së vendimeve të tyre kundër kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Shumica parlamentare në Kuvendin e Republikës, duke e zgjedhur një Qeveri të re në përputhje me Kushtetutën, nuk do të lejojë që qytetarët dhe institucionet të merren nëpër këmbë nga struktura politike pa legjitimitet”, ka shkruar Hoti.

Gjykata Kushtetuese vendosi sot, masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Lexo po ashtu Gjykata Kushtetuese pezullon deri më 29 maj dekretin e Thaçit për Qeverinë e re

Thaçi dekretoi Avdullah Hotin të enjten, menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit. /Telegrafi/

Exit mobile version