Deklaratave të presidentit Thaçi gjatë konferencës së sotme, i është përgjigjur shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
Hoti nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Kosova nuk ka tokë për të ndarë, dhe as ta rishikojë shtetësinë.
Shefi i deputetëve të LDK-së ka shkruar se Kosova duhet të mos e përdorë gjuhën e cila nxit konflikte, transmeton Telegrafi.
“E para, Kosova duhet të dialogojë dhe do të dialogojë, sepse nuk ka alternativë tjetër. Gjuha që nxitë konflikte duhet të hiqet nga diskursi jonë. E dyta, Kosova tokë me nda nuk ka, Kosova nuk e rishikon shtetësinë e vetë dhe Kosova nuk e defunksionalizon shtetin e vetë me aranzhime të brendshme në baza etnike”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai tutje ka thënë se dialogu duhet të jetë transparent, duke e kritikuar për deklarata me dy kuptime gjatë ditës së sotme.
Hoti ka kërkuar që politikanët të jenë të qartë me qytetarët, në lidhje me dialogun.
“Qytetarët e Kosovës duan transparencë lidhur me dialogun me Serbinë, që është sygjerim edhe i dy ambasadorëve të SHBA-së, në Prishtinë e Beograd. Është e pa pranueshme që të ambalazhohet dialogu me Serbinë me gjysmë të njohura dhe dykuptimësi. Kjo qasje e Presidentit u pa edhe sot në konferencën për medie. Ne nuk mund të “manovrojmë” me procesin e dialogut. Ne duhet të jemi të qartë me qytetarët e Kosovës dhe aleatët tanë për pozicionin tonë në dialogun me Serbinë”, përfundon postimi i Avdullah Hotit.
Thaçi në konferencën e sotme ka thënë se marrëveshja finale me Serbinë, duhet të arrihet gjatë këtij viti. /Telegrafi/