Site icon Telegrafi

Hoti: Kosova në kuadër të reformave ka ndërtuar strategjinë e shkëmbimit të informatave me vendet e tjera

“Kosova në kuadër të reformave që ka bërë ka krijuar mekanizma të bashkëpunimit në mes të institucioneve të përcaktuara me legjislacionin vendor, si dhe ndërtuar strategjinë e shkëmbimit të informatave me vendet e tjera”, ka thënë ministri i Financave Avdullah Hoti , gjatë vizitës së tij në Vjenë të Austrisë, ku po merr pjesë në Punëtorinë “Plani i përbashkët i veprimit për integrimin e Ballkanit perëndimorë në fushën e tregtisë dhe transportit”, të organizuar nga Banka Botërore.

Në fjalimin e tij ai bëri të ditur se “trajtimi i mallrave në kufi me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të mallrave-tregtisë dhe transporti bëhet përmes qasjes së menaxhimit të riskut, që mundëson kontrollin selektiv dhe uljen e numrit të ekzaminimeve në kufi në masën 10 për qind. Që d.m.th. se 90 për qind e importeve kalojnë në kanalin e gjelbër”.

Ndërsa, sa i përket korridorit të përbashkët të tranzitit me Shqipërinë, ai bëri të ditur se “Bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka iniciuar krijimin e korridorit të përbashkët të tranzitit që është zbatuar dhe është në funksion që nga viti 2015 dhe ka treguar rezultate të prekshme, ku koha e nevojshme për një tranzit nga Durrësi në Kosovë është shkurtuar nga 24 orë në vetëm disa minuta procedurë kufitare. Do të ishte mirë që nga ky takim të dalim me iniciativë konkrete për të zgjeruar këtë formë të bashkëpunimit edhe me vendet e tjera, si kusht për një treg të integruar drejt EU.

“Shembull i mirë i bashkëpunimit rajonal mund të merret projekti i Shkëmbimit të informatave i quajtur SEED, ( Systematic exchange of Electronic data) i cili është duke u zbatuar nga të gjitha vendet e rajonit”, shtoi Ministri Hoti.

Ministri Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se reformat në fushën fiskale që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në këto dy vitet e fundit, përveç që kanë krijuar një ambient dhe insentiva të mira për zhvillimin e biznesit, ato kanë ndikuar edhe në lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare të mallrave dhe transportit duke eliminuar një numër të madh të dokumentacionit dhe mundësinë për deklarime dhe pagesa elektronike sa i përket procedurave të zhdoganimit.

“Një tregues i mirë në lehtësimin e procedurave është edhe njohja reciproke e licencave, certifikatave dhe lejeve të ndryshme në mes të vendeve të rajonit, e cila mund të përdoret si shembull i mirë në përcaktimin e objektivave të bashkëpunimit regjional”, shtoi Ministri Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version