Site icon Telegrafi

Hoti: Kosova ka dy opsione, atë të zhvillimit me LDK-në dhe të izolimit me shiritat e kuq  

Kandidati i LDK-së, për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të martën, në tubimin zgjedhor në Gjonaj të Hasit, se më 14 shkurt, Kosova i ka dy opsione, atë të shtet-ndërtimit që përfaqësohet nga LDK dhe opsionin e izolimit që përfaqësohet nga ata me shirita të kuq.  

“Më 14 shkurt qytetarët i kanë dy rrugë, rrugën e LDK-së për të fuqizuar shtetin dhe demokracinë në vend, për të ofruar zhvillim e punësim, arsim cilësore dhe reforma në të gjitha fushat. Dhe është ai opsioni tjetër i shiritave të kuq që ka orientim të konfrontimit me krejt botën”, tha Hoti.  

Kandidati i LDK-së, i ftoi hasjanët që në mënyrë sa më masive të dalin në zgjedhje dhe ti japin besimin opsionit të shtet-ndërtimit që përfaqësohet nga LDK.  

“Unë kam besim që në Kosovë dhe në Has ka më shumë njerëz të arsyeshëm sesa njerëz që janë mashtruar. Besoj që njerëzit e arsyeshëm janë shumicë në Kosovë dhe ata do ta vendosin rezultatin e 14 shkurtit dhe ne kemi me fituar. Ju ftoj që të na jepni mbështetje të madhe që të vazhdojmë rrugën për në destinacionin final që është integrimi në BE, anëtarësimi në NATO dhe miqësia e përjetshme me SHBA-të”, tha Hoti.  

Exit mobile version