Site icon Telegrafi

Hoti: Kosova ka bërë progres në reforma në ekonomi

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka prezantuar sot Programin për Reformat në Ekonomi, para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim, ministri Avdullah Hoti, në cilësinë e Koordinatorit Nacional për hartimin e dokumentit ‘Programi për Reforma në Ekonomi (PRE), si pjesë e dialogut për politika ekonomike ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës, bëri të ditur se procesi i përpilimit të ERP-it të sivjetmë është duke u zhvilluar brenda kornizave të parapara kohore dhe dinamika e punëve të deritashme është duke u zhvilluar konform udhëzimeve të Komisionit Evropian.

“Drafti aktual është në diskutim publik që nga java e kaluar dhe gjithashtu është në dispozicion online në faqen e Programit për Reforma Ekonomike, ku palët e interesit mund të japin komentet dhe propozimet e tyre, duke garantuar kështu transparencë dhe bashkëpunim të plotë mes institucioneve qeveritare dhe shoqërisë civile. Drafti aktual është rezultat i një pune të vazhdueshme nga ana e Zyrës për Planifikim Strategjik, Njësisë për Makroekonomi në kuadër të Ministrisë së Financave dhe koordinatorëve të ministrive përkatëse”, bëri të ditur ministri Hoti.

Ministri Avdullah Hoti para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, gjithashtu bëri të ditur se në përgjithësi, drafti paraprak ishte pritur shumë mirë nga ekipi i KE-së në nëntorin e kaluar dhe rekomandimet nga KE dhe OECD kanë reflektuar në ngritje të cilësisë në draftin aktual.

“Pra, duke u bazuar në rrjedhën e suksesshme të këtij procesi, qëllimi i këtij takimi është që të bëjmë hapin e ardhshëm dhe të diskutojmë për këtë dokument në kuadër të këtij komisioni. Dua të nënvizoj se komentet dhe sugjerimet e të gjithë pjesëmarrësve në këtë mbledhje janë të mirëseardhura. Ato do të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së draftit aktual dhe do të përfshihen në draftin final.”

Gjatë këtij takimi, nga anëtarët e komisionit u dhanë komente dhe sugjerime të ndryshme, të cilat do të kontribuojnë në përpilimin e draftit final të ERP 2017-2019. Në këtë takim përfaqësuesi i Zyrës për Planifikim Strategjik, prezantoi 20 masat e prioritizuara që janë mjaft gjithëpërfshirëse dhe përmbajnë të dhëna të shumta për potencialin e madh ekonomik të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version