Site icon Telegrafi

Hoti: Kosova dhe Hungaria të intensifikojnë bashkëpunimin në ekonomi dhe arsim 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.

Kryeministri Hoti e falënderoi ambasadorin Markusz për punën e tij të përkushtuar në Kosovë, si dhe për përkrahjen e përhershme që Hungaria i ka dhënë vendit tonë.

Gjatë këtij takimi, Hoti e njoftoi ambasadorin e Hungarisë për prioritet e Qeverisë së Kosovës dhe për hapat që po ndërmerren për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

Po ashtu, kreu i ekzekutivit potencoi se Kosova dhe Hungaria i kanë të gjithë mundësitë që ta intensifikojnë bashkëpunimin në mes të dyja vendeve, sidomos në sektorin ekonomik, në infrastrukturë, në arsim etj.

Ndërsa, ambasadori Markusz, pasi e falënderoi kryeministrin Hoti për këtë takim lamtumirës dhe për bashkëpunimin e mirë me Qeverinë e Kosovës, shprehu bindjen se marrëdhëniet në mes Hungarisë dhe Kosovës do të thellohen edhe më tej.

“Për Hungarinë, Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht e kulturalisht janë pjesë e Evropës, ndaj ne vlerësojmë se e ardhmja juaj e përbashkët është në Bashkimin Evropian”, tha ambasadori Markusz. /Telegrafi/

Exit mobile version