Telegrafi

Hoti konfirmon se para shkuarjes në Uashington, do të vizitojë Brukselin

Foto: Arkiv

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka konfirmuar se më 25 qershor në Bruksel do të takohet me zyrtarë të lartë të institucioneve evropiane.

Ai gjatë kësaj vizite do të takohet me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryetarin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, komisionarin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe nënkryetarin e EPP, David McAllister.

Në këto takime do të bisedohet për hapat që Qeveria Hoti ka ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, mbështetjen e KE për rimëkëmbjen ekonomike, liberalizimin e vizave, proces ky i cili nuk ka ngecur për shkak të mos përmbushjes së standardeve nga pala kosovare, shkruan Hoti në Facebook.

Hoti ka bërë të ditur se nga Brukseli do të udhëtojë për Uashington, ku më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë do të vazhdojë dialogu për njohje reciproke, siç thotë ai, fillimisht me një agjendë të fuqishme të zhvillimit ekonomik. /Telegrafi/