Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka komentuar raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) ku janë publikuar të dhënat preliminare për regjistrimin e popullsisë në Kosovë.
Hoti shprehu zhgënjim për të dhënat e kufizuara të publikuara dhe kritikoi Qeverinë për vonesat e shkaktuara.
Ai theksoi se regjistrimi u shty për një vit për shkak të dështimeve të Qeverisë së Kosovës për të përfunduar në kohë procedurat e nevojshme për fillimin e regjistrimit.
“Për këto vonesa, Qeveria e bëri kurban një zyrtar të Agjencisë së Statistikave, i cili kishte raportuar në Komisionin Parlamentar për Buxhet se Agjencia e Statistikave i kishte kryer të gjitha detyrat që ishin në përgjegjësi të Agjencisë,” tha Hoti.
Ai shtoi se përdorimi i të dhënave nga regjistrimi i popullsisë për planifikimet buxhetore, infrastrukturore, ambientale, arsimore dhe shëndetësore, shtyhet një vit prapa krahasuar me vendet e tjera evropiane.
Hoti vuri në dukje se të dhënat e publikuara janë shumë të pakta.
“Përveç numrit të popullsisë sipas komunave, banesave/shtëpive dhe ekonomive familjare, nuk ka të dhëna të tjera të publikuara në këtë fazë,” tha ai.
Ai gjithashtu theksoi se dividenti demografik që vjen nga popullsia në moshë të re nuk po shfrytëzohet mjaftueshëm për të siguruar një rritje më të shpejtë ekonomike dhe konvergjencë me vendet e rajonit dhe të BE-së.
Hoti shprehu shqetësim për largimin masiv të kuadrove të specializuar, sidomos në fusha si mjekësia, teknologjia e informacionit, inxhinieria dhe fusha të ngjashme.
“Kjo po krijon zbrazëti në treg dhe në shoqëri dhe do të ketë pasoja afatgjata për ekonominë. Bazuar në numrin e të diplomuarve brenda vitit në këto fusha, është e pamundur të zëvendësohen ata që emigrojnë,” përfundoi ai./Telegrafi/