Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se pret që ditët e ardhshme të gjendet konsensusi për të nxjerrë vendin nga kriza dhe se tema e korrigjimit të kufijve duhet urgjentisht të hiqet nga tavolina e dialogut dhe t’i pamundësohet çdo zyrtari të flasë për kufijtë.
Në një shkrim në Facebook, Hoti thotë se duhet të gjendet rruga që përmes zgjidhjeve të lira t’i japin Kosovës një qeveri stabile, pasi me shtyrjen e konsolidimit institucional të Kosovës përfitojnë vetëm ata që nuk ia duan të mirën vendit tonë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që të hiqet urgjentisht nga dialogu tema e korrigjimit të kufijve.
“Duhet sa më parë të nxjerrim dialogun nga qorrsokaku ku e ka futur Presidenti Thaçi me temën e korrigjimit të kufijve dhe Kryeministri me mos-ushtrimin e përgjegjësisë së tij kushtetuese. Tema e korrigjimit të kufijve duhet urgjentisht të hiqet nga tavolina e dialogut dhe t’i pamundësohet çdo zyrtari të flasë për kufijtë. Në këtë drejtim, ne presim që rezoluta të miratohet në Kuvend dhe të gjitha partitë shqiptare të tregojnë kundërshtimin e tyre për këtë temë me veprime konkrete e jo vetëm me fjalë”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe “t’i japim Kosovës një qeveri stabile, me shumicë që nuk mund të lëkundet nga përfaqësuesit politikë të serbëve për aq kohë sa janë të ndikuar nga Beogradi”.
“Vetëm me konsolidim të brendshëm e me institucione të fuqishme e stabile, në të cilat besojnë qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, mund të bindim botën demokratike të na pranojë në familje euro-atlantike. Rrugë tjetër nuk kemi. Me shtyrjen e këtij konsolidimi institucional të Kosovës përfitojnë vetëm ata që nuk ia duan të mirën Kosovës”, ka shtuar ai.
Hoti po ashtu ka thënë se LDK-ja këtë javë i dha mbështetje ligjeve për agjendën evropiane të Kosovës duke e quajtur veprim në përputhje me qëndrimin e partisë për të mos u bërë opozitë në “çështjet e interesit shtetëror siç janë ushtria, integrimi evropian dhe marrëveshjet ndërkombëtare”.