Telegrafi

Hoti kërkon nga Haradinaj që AAK-ja ta përkrahë rezolutën kundër cenimit të territorit

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar nga Haradinaj, që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ta përkrahë rezolutën e opozitës ku thuhet se askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Hoti ka shkruar se kjo rezolutë nuk ishte votuar në fillim nga AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate.

“Por, më lejoni të përkujtoj të gjithë për një fakt. Rezoluta e opozitës, e datës 4 shtator 2018, me një pikë të vetme ku thuhej se ‘Integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe askush, e as Presidenti i vendit, nuk mund të dialogojë për territorin e Republikës së Kosovës’ nuk u votua nga AAK dhe Nisma, edhe pse publikisht u patën deklaruar se e mbështesin”, ka shkruar fillimisht Hoti.

Sipas tij, nëse Haradinaj e ka seriozisht ruajtjen e territorit, partia e tij duhet ta votojë këtë rezolutë.

“Pasnesër, në seancën e radhës, kjo rezolutë është në rend dite. Nëse z.Haradinaj e ka seriozisht, atëherë duhet t’i udhëzojë deputetët e AAK-së të votojnë këtë rezolutë. është kaq e thjeshtë”, përfundon postimi i Avdullah Hotit. /Telegrafi/