Site icon Telegrafi

Hoti kërkoi nga Bosnja e Hercegovina heqjen e vizave dhe hapjen e Zyrave Ndërlidhëse

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka realizuar sot një bisedë telefonike me kryesuesin e Presidencës së Bosnjë Hercegovinës, Sefik Dzaferoviq.

Kryeministri Hoti e ka falënderuar Dzaferoviq për nismën e tij për njohjen e  Republikës së Kosovës nga Bosnjë Hercegovina, ndërkohë që ka kërkuar vazhdimin e angazhimit të tij për heqjen sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me qëllim të realizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit midis të dyja vendeve.

Kryeministri Hoti ka shprehur gatishmërinë e Qeverisës së Republikës së Kosovës për hapjen e Zyrave Ndërlidhëse midis të dyja vendeve, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të kulturës.

Gjatë kësaj bisede, bashkë me kryeministrin Hoti ishin edhe zëvendësministri i Tregtisë e Industrisë,  Qerim Bajrami dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rasim Demiri. /Telegrafi/

Exit mobile version