Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë se në listën e LDK-së me kandidatët për deputetë është vetëm një që ka problem me ligjin dhe ai sipas tij do të zëvendësohet sot.
Hoti këtë deklaratë e dha sot gjatë homazheve që bëri tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, në 15 vjetorin e vdekjes.
Ai po ashtu theksoi se LDK-ja do t’i nënshtrohet të gjitha vendimeve të organeve të drejtësisë si dhe sipas tij të gjithë personat që kanë probleme me ligjin duhet të trajtohen njësoj pavarësisht pozitës dhe statusit që kanë.
Ndërsa, për kandidatin e kësaj partie i cili ka problem me ligjin, Hoti tha se zëvendësimi i tij do të bëhet sot, mirëpo nuk ka treguar emra.
“Ne ju nënshtrohemi të gjitha vendimeve të organeve të drejtësisë, të gjithë duhet të trajtohen njësoj pavarësisht pozitës dhe statusit që kanë. E kemi pas një kandidat dhe do të bëjmë zëvendësimin e nevojshëm sot”, ka thënë ndër të tjera kryeministri në detyrë, Hoti. /Telegrafi/