Telegrafi

Hoti: Kam mbështetjen e fuqishme të Akademisë së Shkencave për qasjen e Qeverisë në dialog

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ka marrë mbështetje të fuqishme nga anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për qasjen e Qeverisë në procesin e dialogut.

Hoti përmes një postimi në Facebook është shprehur se procesi i dialogut duhet të zhvillohet me një konsensus të brendshëm shtetëror.

“Procesi i dialogut me Serbinë duhet të zhvillohet duke e patur një konsensus të brendshëm shtetëror, ndërsa imperativ për të arritur këtë objektiv është bashkëpunimi dhe transparenca e plotë. Në kuadër të shpalosjes së kornizës për procesin e dialogut, sot kam takuar anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nga të cilët mora mbështetje të fuqishme për qasjen e Qeverisë së Kosovës në këtë proces”, shkruan Hoti.

Kryeministri tha se ka filluar tashmë edhe takimet me partitë politike dhe se në bashkëpunim me vendet e Quint-it do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta.

“Po ashtu, kam filluar takimet edhe me partitë politike dhe në bashkëpunim me vendet e Kuintit dhe të gjithë partnerët e tjerë vendas, do të punojmë për arritjen e objektivave tona të përbashkëta”, shkruan Hoti.

Ndryshe, Hoti ka thënë sot se dialogun me Serbinë do ta udhëheqë Qeveria e Kosovës, ndërsa tha se integriteti territorial është i padiskutueshëm.

Lexo po ashtu Hoti: Kompetencat e mia kushtetuese për të udhëhequr dialogun nuk mund t'ia jap dikujt tjetër

Ai në një prezantim të platformës së dialogut me Serbinë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës tha se marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Lexo po ashtu Hoti thotë se dialogun me Serbinë do ta udhëheqë ai, fton opozitën t’i bashkohet procesit

Kryeministri theksoi se dialogun me Serbinë do ta udhëheq ai, dhe se kompetencat e tij nuk do t’ia jap dikujt tjetër. /Telegrafi/