Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ka marrë mbështetje të fuqishme nga anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për qasjen e Qeverisë në procesin e dialogut.
Hoti përmes një postimi në Facebook është shprehur se procesi i dialogut duhet të zhvillohet me një konsensus të brendshëm shtetëror.
“Procesi i dialogut me Serbinë duhet të zhvillohet duke e patur një konsensus të brendshëm shtetëror, ndërsa imperativ për të arritur këtë objektiv është bashkëpunimi dhe transparenca e plotë. Në kuadër të shpalosjes së kornizës për procesin e dialogut, sot kam takuar anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nga të cilët mora mbështetje të fuqishme për qasjen e Qeverisë së Kosovës në këtë proces”, shkruan Hoti.
Kryeministri tha se ka filluar tashmë edhe takimet me partitë politike dhe se në bashkëpunim me vendet e Quint-it do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta.
“Po ashtu, kam filluar takimet edhe me partitë politike dhe në bashkëpunim me vendet e Kuintit dhe të gjithë partnerët e tjerë vendas, do të punojmë për arritjen e objektivave tona të përbashkëta”, shkruan Hoti.
Ndryshe, Hoti ka thënë sot se dialogun me Serbinë do ta udhëheqë Qeveria e Kosovës, ndërsa tha se integriteti territorial është i padiskutueshëm.
Ai në një prezantim të platformës së dialogut me Serbinë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës tha se marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Kryeministri theksoi se dialogun me Serbinë do ta udhëheq ai, dhe se kompetencat e tij nuk do t’ia jap dikujt tjetër. /Telegrafi/